Vezët e kuqe të Pashkës janë një prej traditave që zonjat korçare e kanë ruajtur me fanatizëm.
E enjtja i gjen ato duke lyer vezët në ngjyrë të kuqe, një simbolikë e triumfit të jetës mbi vdekjen. Ky ritual nuk ka humbur asnjëherë as në kohën e komunizmit. Në shenjë mbarësie vezët e kuqe të Pashkës shpërndahen te miqtë dhe të njohurit, ndërsa të shtunën në mesnatë të gjithë zgjedhin vezët e tyre dhe nis një garë ku përplasen skajet e vezëve mes njëri- tjetrit derisa të zgjidhet veza më rezistente që është një ogur i mirë. Personazh/ Enada Çollaku, infermierja që nuk u largua, por prej 7 vitesh iu shërben banorëve të Slatinës në Mokër !
Në qendrën ambulatore të fshatit Slatinë në Mokër, prej 7 vitesh ofron shërbimin infermierja Enada Çollaku. Ajo është pranë banorëve të fshatit sa herë ata kanë nevojë për ndihmë. Vlerësim e mirënjohje për punën e Enadës dhe për gjithë të rinjtë si ajo që zgjedhin të jetojnë në vendin e tyre dhe me punë e përkushtim janë pranë komuniteteve për të kontribuuar në fusha të ndryshme! Romët janë pjesë shoqërisë shqiptare që nga shekulli i 14-të dhe kanë krijuar komunitete të qëndrueshme nëpër qytete dhe fshatra të vendit. Pavarësisht diskriminit dhe sfidave të shumta, romët kanë ruajtur traditat, gjuhën dhe kulturën e tyre, duke u bërë pjesë e rëndësishme në diversitetin e kulturave në Shqipëri.
Pavarësisht përpjekjeve, romët ende vazhdojnë të përballen me diskriminim, probleme të mëdha sociale e ekonomike, nivel të ulët arsimi dhe papunësi. Fshati Velitërnë ka rreth 1070 banorë, ndodhet në Bashkinë e Maliqit, Njësia Administrative Pirg.
Banorët e këtij fshati, merren kryesisht me bujqësi e blektori, ku në fushat e fshatit prodhojnë produkte të freskëta dhe bio. Që në hyrje të fshatit, të lind ndjesia e një fshati harmonik dhe me njerëz punëtorë. Harmonia fetare është ndër pikat më të forta të popullit shqiptar dhe këtë harmoni, e gjejmë më së miri në fshatin Velitërnë, ku Kisha dhe xhamia, "bashkëjetojnë" me njëra-tjetrën. Syrja Hmzallari, kryetari i fshatit, na tregon se në këtë fshat, një i krishterë, që hedh lek në kishë, patjetër shkon dhe hedh lek në xhami dhe e anasjellta, ku një mysliman që hedh lek në xhami, patjetër shkon dhe hedh lek në kishë. Rituale të ndryshme fetare respektohen në shenjë harmonie dhe respekti për fetë. Syrja Hamzallari tregon gjithashtu se që në kohet e krijimit të fshatit banorët kanë qenë në harmoni me njëri-tjetrin. Kudret Pera, një ndër banorët më të vjetër të këtij fshati na tregon historinë e pazakontë të këtij fshati, duke na sjellë edhe shembuj të ndryshëm te harmonisë fetare që ekziston në këtë fshat. Ai na tregon gjithashtu për historitë e martesave mes të krishterëve dhe muslimanëve. Syrja Hamzallari gjithashtu na tregon edhe menyren e vendosjes së kishave në këtë zonë duke formuar kështu ne formë ajrore një kryq me njëra-tjetrën. Madje, ai është i hapur që në zonën ku janë vendosur kisha dhe xhamia, janë të kënaqur dhe mirëpresin çdo fe tjetër, që të ngrejënë godinën e tyre të kultit. Kudret Pera, si ndër më të vjetërit e fshatit Velitërnë, jep mesazhin e rëndesishëm, duke cituar disa fjalë të shkrimtarit të madh Pashko Vasa: "“Feja e shqiptarit asht shqiptaria !" Sot, më 1 prill, Korça Plus feston 6-vjetorin e themelimit, një moment i cili i shënjon një kapitull të ri në historinë e këtij kanali televiziv !
Korça Plus u themelua në vitin 2018 me një qëllim të qartë - për të ndërgjegjësuar dhe informuar ndjekësit në qytetin e Korçës dhe përtej kufijve të saj. Nga një ëndërr që u bë realitet, Korça Plus është shndërruar në një institucion të rëndësishëm për komunitetin e Korçës dhe zonave përreth. Me 49 mijë ndjekës e saj, Korça Plus është bërë një burim i rëndësishëm i informacionit për të gjithë ata që kërkojnë lajme të reja, objektive dhe të sakta. Ndërkohë që festojmë këtë 6-vjetor të frytshëm, Korça Plus angazhohet për të vazhduar rrugëtimin e saj me të njëjtën pasion, me sfida të reja dhe mundësi për zhvillim. Themeluesi dhe drejtuesi i televizionit Korça Plus, Zoti Eduart Bardhushi, nëpërmjet një postimi shprehet: "Para 6 viteve, Korça Plus ishte vetëm një ëndërr... Tani, është realitet! Shpreh falenderime për mbështetjen që kemi marrë nga ju që prej ditës së parë, premtojmë se do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtën pasion dhe përkushtim në përmbushjen e synimeve tona, edhe në vitet në vijim." Në këtë moment të veçantë, urojmë të gjithë bashkëpunëtorët, audiencën, dhe miqtë e Korça Plus për këtë sukses të madh ! Sot, në Lozhan, shënohet 118-vjetori i Besëlidhjes Gorare, një ngjarje e rëndësishme për historinë dhe kulturën e kësaj zone.
Këtë ditë, nderohet dhe respektohet veprimtaria e Kapedanëve të Gorës, atyre njerëzve që me guxim dhe vendosmëri iu bashkuan kësaj besëlidhjeje dhe që me kontributin e tyre e pasuruan këtë pjesë të Shqipërisë. Emri dhe veprat e tyre mbeten paharruar në kujtesën e popullit, duke lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme për brezat e ardhshëm. Kisha e Shën Mehillit në Vithkuq, është një monument i trashëgimisë kulturore, ky monument është i llojit "Arkitekturë" dhe është kisha më e madhe e Vithkuqit. Ajo filloi të ndërtohet në vitin 1682 nga Mihaili dhe Gabrieli, me shpenzimet e të krishterëve që jetonin në Vithkuq. Kjo kishë u përfundua në vitin 1728. Kisha përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati. Naosi është i tipit bazilikal, trenefësh me përmasa të brendshme 15.5 me 9.5 metra. Dy radhë kollonash ndajnë nefet nga njëri-tjetri, nga të cilët nefi qendror është më i gjerë dhe më i lartë nga dy anësoret, kollonat lidhen ndërmjet tyre me një sistem harqesh në të dy drejtimet. Nefet gjatësore ndërpriten nga një nef tërthor, duke krijuar në mes një bërthamë të mbuluar me kupolë, lartësia e këtij objekti është rreth 8 metra. Historia e Varrit të Pagëzimit ! Sipas gojëdhënave, në këtë varr janë varrosur gjithë pjesëtarët e familjes Thana, nga lagjja Dukas e Vithkuqit. Kryefamiljari i familjes Thana donte të pagëzonte djalin e porsalindur, prandaj shkoi te prifti i fshatit dhe iu lut që uratat t‘i lëçiste në gjuhën shqipe. Prifti i tha se duhej të kishte miratimin e mitropolitit të Korçës, ishte dimër i acartë dhe foshnja e porsalindur nuk mundi të mbijetonte e vdiq te pragu i kishës. Pas tij vdiqën e ëma dhe gjyshërit dhe më pas babai. Ata i varrosën në një varr të përbashkët, prandaj u quajt “Varri i pagëzimit”. VIDEO
Nga: CNA.AL
Benon Progri, 73 vjeç, është personazhi mbase më i veçantë që sjell për shikuesit CNA TV. Me një histori mjaft interesante, si punonjës i ndërrmarjes së shërbimeve publike shumë kohë më parë, Benonin e njohin të gjithë në qytet si njeriun që mbrojti me mish e me shpirt parkun "Rinia". Një histori frymëzimi për të rinjtë, duke parë sakrificat e mëdha që ai ka bërë për punën e tij. Më tepër se 40 vite në mbrojtje të parkut të qytetit, madje edhe sot që është në moshë të thyer, sërish rri pranë familjeve korçare për t'u shërbyer. "Benoni është një qytetar i lindur në Shkodër, dhe i ardhur në Korçë, në 1960. Me kalimin e viteve mbaruam gjimnazin, vajtem ushtar, u kthyem, e si përfundim hymë në ca ndërmarrje që nuk i kisha qejf por nga e keqja hyra. Prej atje, në 1977 hyra në parku 'Rinia'. Ditën e parë që kam hyrë, kemi prerë plepat në Varrezat e Dëshmorëve që ishin poshtë në atë kohë." 73-vjeçari tregon se si e gjeti parkun në vitin 1977 kur filloi edhe punë në komunale siç quhej në ato vite. Që prej fillimit të punës, Benoni ka ndërhyrë në plepat e zonës së parkut, hapjen e parcelave e deri te mbjellja e barit dhe rregullimin e pishave. "Parku ishte mizerie kur hyra unë, çdo gjë ishte rrëmujë. Së pari filluam nga plepat, ishin kot atje dhe hoqëm edhe Varret e Dëshmorëve. Filluam hapjen e parcelave me bel, të gjithë parkun. E kemi niveluar tamam me mjete primitive, hodhëm farë bari e filloi doli bari. Bëmë format se ishte pa forma, i bënë me bordura dhe i mbollëm me lule. I ngritëm degët e pishave se ishin shumë poshtë, që të mos pengonin njeri dhe pas 2-3 vitesh e mori veten. Kur rritej bari e korrnim me kosë se s'kishte makineri në atë kohë. Në behar na çonin kodrave, që mësuam si kalitet dhe mprihej kosa, dhe 3 muaj korrnim të gjitha kodrat e Korçës." Në fillim të intervistës, Benon Progri tregon se është shkodran, e ajo që të vjen direkt në mendje është se si përfundoi ai në qytetin e Korçës. Një histori mjaft e dhimbshme që e tregon me lot në sy, duke vënë në dukje edhe vështirësitë e asaj kohe sa u përket ligjeve të shtetit. Nënën e Benonit e burgosën, ndërsa babain e tij e vranë. Këtë histori ai e tregon ekskluzivisht për CNA TV. "Mamaja doli partizane, në 1943. Kur mbaroi lufta, vëllezërit nuk na i qasnin. Mamaja ishte infermiere, kishte mbaruar në kohën e Italisë. Pas lufte, nuk e qasën këtu, hyri infermiere në spitalin ushtarak në Tiranë. Që atje u hodh në Shkodër ku u njoh me Vasilin, babain tim por pa celebrim. Bënë motrën, babai ishte oficer me gradë kolonel, dhe i thanë që 'Hajde të ikim Vasil se duan të na presin kokën neve'. E kishin organizuar ata që të iknin me 3 makina të mëdha, e para me ushtarë e dyta me oficerë dhe e treta me familje të oficerëve. Vasili nuk e tradhëtoi atdheun. Si përfundim e morën edhe mamanë, edhe Vasilin. Vasilit i lëshuan qen, e bënë fërtele, e futën në thes dhe e hodhën në Bunë, kurse mamanë e dënuan 15 vjet që nuk denoncoi për tentativë arratisje dhe mbajtje arme pa lejë. Kur e arrestuan ishte 3 muajshe me mua, kurse motrën e çuan në shtëpia e fëmijës. Kuvendi popullor ja fali, se ishte infermiere dhe ja kishin nevojën mamasë. Bëri 3 vite burg dhe doli, por ndenji në Shkodër." Pas Shkodrës, ata u kthyen në Korçë, ku mamaja e Benonit filloi punë si infermiere në spital, ndërsa motra e tij nisi studimet për infermiere gjithashtu. Dilema e Benonit mbetej vendi i punës që ai do të mund të kapte, duke pyetur e kërkuar kudo. Në atë kohë vështirësia ishte shumë e madhe pasi nuk ofronin punë, madje i sugjeronin për në minierë por Benoni nuk pranoi. E kjo derisa u realizua punësimi në ndërrmarjen e shërbimeve publike. Parku Rinia mori gjallëri, fillimisht nga lodrat që u vendosën për fëmijët. "Në fillim i bëri komunalja lodrat për fëmijët në park, i rrethuam me kangjëlla dhe doli gjë e bukur. Çdo pasdite ishte plot atje, u dukej diçka e madhe." Por ajo çka ka bërë 73 vjeçari për mbrojtjen e parkut të qytetit është fantastike aq edhe e dhimbshme. Me lot në sy, ai tregon se si e gjeti mënyrën që me "intriga", duke qëlluar natën me armë, ja doli të largonte të gjithë njerëzit që kërkonin të prisnin pemët në park. Shumë prej këtyre personave dashakeqës u përballën edhe me dënime në vlerë monetare që në atë kohë ishin mjaft te vështira për tu siguruar. "Punoja 4 orë në park, dhe 4 orë të tjera merrja sëpatën i bija kodrave vërdallë deri te Shën Thanasi." "Në kohën e luftës unë tërë natën me armë shtija, jo për të vrarë, vetëm për të trembur. Dhe nuk afrohej këmbë njeriu. Pas 1997, se e mbaja armën në tunel dhe çdo natë shtija, më tha një barçar 'ty të janë vënë të të vrasin, se i ke dënuar në kohën e Enverit'. I thashë 'i dënoj se vendin e punës rruaja, çdonin që vinin e prisnin akacje këtu?' Merrnim të plotfuqishmin, vinim në Barç dhe i nxirrte me rradhë të gjithë burrat. Më pyesnin mua cili qe? Ua tregoja. Dhe i dënonin 3 mijë lek, 5 mijë lek por ishin shumë në atë kohë. Nuk jam konfiktuar asnjëherë më grushta, vetëm me marifet me dredhi e mbrojta parkun." Pasioni i madh që ka i moshuari shkodran e bën që edhe sot e kësaj dite t'u shërbejë familjeve korçare, kur kanë nevojë për të prerë trëndafilat në oborret e banesave apo dhe për t'i pastuar llojet e ndryshme të bimëve dhe pemëve. "Beharit kam punë, nuk qahem, se më njohin e i njoh. Marr gërshërën e pres bimë të ndryshme, trëndafila. Dimrit e kam pak zor sepse pritet puna, me fillim Marsi hapet puna. Shikoj vende ku duhen prerë trëndafilat, i trokas i pyes a ti bëj. Po të vije pas çerek ore nuk do më gjeje, se do pija kafenë, do merrja sharrën e gërshërën e do ikja nga shkolla bujqësore se kam ca vende për të bërë. Edhe ndjej kënaqësi, po edhe 5 lek për xhepin." Benon Progri është me plot gojë shembulli më i mirë i një njeriu punëtor, që vendos punën si prioritet në jetë, dhe që e mbron atë në të gjitha mënyrat. Ai sot ka një vajzë, dhe është pensionist, por nuk kërkon asgjë nga shteti veçse një punë për vajzën e tij. Nëpërmjet këtij reportazhi, shpresojmë që shikuesit të kenë përjetuar sado pak dhimbjet e një njeriu me vlera, që vijon të japë shumë nga vetja e tij për qytetarët korçarë.
Kremtohet "Sulltan Novruzi", besimtarët bektashinj mblidhen në Teqenë e Turanit !
Sipas historisë, më 22 Mars ka lindur Imam Aliu dhe pas tri ditëve i është vënë emri. Festa e Sulltan Nevruzit bie një javë mbas festës së Ditës së Verës, 22 deri më 25 mars dhe festohet për nder të lindjes së Profetit Imam Ali. Festimet zgjasin tri ditë. Më 22 Mars ka lindur Imam Aliu dhe pas tri ditëve i është vënë emri. Stafi i Korça Plus, uron gjithë besimtarët bektashinj, gëzuar ! "Shkolla e Parë Shqipe" në Pogradec u çel 137 vjet më parë në 14 mars, menjëherë pas “Mësonjëtores shqipe” së Korçës.
Kjo datë na sjell në vëmendje faktin që Pogradeci ka qenë gjithashtu një qytet i lëvizjes patriotike, luftës për pavarësi, kulturë e dije, përpjekje që u kurorëzuan me hapjen e shkollës shqipe në Pogradec në 14 Mars 1887 drejtuar nga patrioti Koço Sotiri, që ishte vëllai i patriotit tjetër Pandeli Sotiri që ka qenë themelues i Mësenjtores së Korçës. Për shkollën e parë shqipe të Pogradecit poeti Lasgush Poradeci shkroi: "Shkolla Shqipe e Pogradecit, këtij qyteti palcërisht shqiptar, është një nder jo vetëm për atdheun por dhe për pogradecarët në mënyrë të veçantë." Në Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë është çelur ekspozita “Udha e Shkronjave Shqipe” me koleksionin e abetareve që janë pjesë e fondit të bibliotekës Thimi Mitko.
Në ndërtesën simbol të shkollës së parë shqipe krahas veprave të ndryshme të rilindasve, janë ekspozuar 14 abetare, mes të cilave Evetarit i parë i Naum Veqilharxhit, i botuar në vitin 1844. Kjo abetare ka dy kopje unike, njëra prej të cilave është pjesë e fondit të Bibliotekës së Korçës dhe tjetra e Bibliotekës Kombëtare. Ky vit përkon me 180 vjetorin e krijimit të Alfabetit të parë të gjuhës shqipe, ndërsa 137 vite më parë, më 7 Mars, në Korçë u hap shkolla e parë shqipe, datë që festohet çdo vit për mësuesit dhe punën e palodhur të tyre. 7 Marsi tek Teatri “Andon Z. Çajupi” në Korçë !
Një koncert i përgatitur nga Bashkia Korçë në bashkëpunim me Shkollën Artistike “Tefta Tashko Koço”, si një buqetë e bukur urimi për mësuesit e nderuar korçarë, figura të shquara që kanë lënë gjurmë me profesionin e tyre fisnik në edukimin e brezave. Enver Hoxha ka shkuar si mysafir dhe me pas e konfiskon.
Pilo Peristeri qe ka bere kangjellat e viles borgjeze, ne komunizem krekosej si gjel. Kjo vile e vëllezërve Kondili, e pagezuar nga regjimi komunist me emrin "Valbona", përfaqëson dhe sot arkitekturen italiane te ketij qyteti, qe njohu lulezimin e tij ne vitet 1920 dhe 1930. Kjo vile ka mbartur per gati nje shekull histori te pronareve te saj, me pas nga kreret komuniste te kohes, madje te vete Enver Hoxhes, dhe prej 70 vitesh, kujtime te shumta kane mbetur aty dhe nga korçaret, madje jo vetem, pasi prej 7 dekadash sherben si bar kafe. Arqile, Aristotel dhe Lefter Kondili, ne vitin 1928 vendosin te ndertojne nje shtepi banimi, atehere ne zonèn periferike te qytetit, me arkitekturen e shtepive te aristokracise italiane. Meqe dy nga vellezerit kishin studiuar ne Vjene, projektimin dhe zbatimin ia besuan nje arkitekti austriak. Per arkitektin dhe hulumtuesin Ilir Voci, arkitekti e kishte te qarte se cfare do te ndertonte, ku do e ndertonte dhe çfare do te perfaqesonte ky ndertim, qe as me shume e as me pak, eshte ndertese tipike e borgjezise se re qe sapo kishte lindur ne kete vend. Ndertimi perfundoi ne vitin 1933, thjesht si nje shtepi banimi. Projektuesi vejnez i mahniti qytetaret me kete ndertese magjepsese, gjithkush kishte deshire te hynte ne te thjesht per ta pare,pasi dhe aredimi ishte tipik italian, mermeri shkalleve i ardhur nga Venecia, pllakat e dyshemese po ashtu italiane, dyer dhe dritare qe te bera sipas modelit italian, autentike dhe sot. Trashgimtaret e familjes tregojne se nje nder vizitoret e shpeshte ne familjen e tyre ne ato vite ka qene dhe Enver Hoxha, pasi njeri nga vellezerit Kondili, Lefteri, e ka pasur shok klase ne Liceun Francez. Kujtojne se Enver Hoxha, atehere djale i ri, i ulur ne nje tavoline prane dritares rrinte me ore dhe shihte jashte. Askush nuk e mendonte se jo shume vite me pas, Enver Hoxha do te ishte kreu i shtetit shqiptar. Ne vitet 1945, 1946, rikthehet ne kete shtepi se bashku me Koçi Xoxen, atehere besnik i tij dhe akomodohet ne dhomen me te mire te kesaj vile. Populli ne eufori rrethonte vilen me brohoritje. Enver Hoxha pershendeste popullin nga ballkoni i kesaj vile, ndersa puntoria komuniste e Korçes ne kor thoshte vargjet : Enver Hoxha ne ballkon, puntoria e kerkon. Dhe gjate periudhes se komunizmit, kjo vile mbeti e preferuara e drejtuesve komunist te kohes. Nje nder ata ka qene Pilo Peristeri, anetar i Byrose Politike. Ne kohen e ndertimit te viles, Peristeri ne rolin e hekurpunuesit, ka bere rrethimin me kangjella, te cilat ekzistojne dhe sot, pasi per fiksimin e tyre ne beton, eshte perdorur plumb i shkrire. Ne vitin 1950, kjo vile e ndertuar me aq dashuri nga familja Kondili, nderron pronaret dhe historine e vet. Me vendim te qeverise komuniste, pronaret largohen nga shtepia, ndertesa kalon ne prone shteterore dhe adoptohet si turizmi qytetit, ku natyrisht frekuentuesit dhe klientet kane qene te zgjedhur sipas filtrave të kohës. I tille lokali Valbona ka mbetur deri ne vitet 1970, derisa ne qender te qytetit te Korces, u ndertuan objekte te reja, ku ndertesat e arkitektures italiane ne kete qytet po zvendësoheshin me ndertesa të modelit sovjetik me qëllim për te sfumuar ndikimet e ashtuquajtura borgjeze. Por per qytetaret e Korçës, lokali mbeti i preferuar dhe ne vazhdim, tashme sherbente si bar, restorant dhe embeltore. Ky vend sherbente si pike takimi pas shetitjes, por dhe si vend organizimi festash familjare, si dasmat, fejesat apo datelindjet. I pelqyer mbeti dhe per kineastet me te shquar te vendit. Jane me dhjetra sekuenca filmash artistike si " I teti ne bronz", " Gjeneral Gramafoni" e shume filma te tjere. Dhe sot pas 70 vitesh, Valbona mbetet serisht bar, duke qene keshtu bar kafe me e vjetra e qytetit, per te mos thene e vetmja qe i ka rezistuar viteve. Nje copez nga kjo histori ishte edhe ABC NEWS, me arkitektin Ilir Voci, i cili flet dhe per ndikimet e arkitektures italiane ne kete qytet. Sistemohen kalldrëmet në lagjet 3, 11 dhe 12 të qytetit, një vlerë e çmuar në historinë e Korçës5/1/2024
Gjatë punës për sistemimin dhe mirëmbajtjen e kalldrëmeve në Lagjet 3, 11 dhe 12.
Kalldrëmet janë një vlerë e çmuar në ansamblin historik të Korçës. Nga:VLADIMIR DINO
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë, më 28 nëntor 1912, Korçën e gjeti të pushtuar nga ushtritë turke të komanduara nga Xhevat Pasha. Në këto kushte, atdhetarët korçarë nuk e ngritën dot flamurin kombëtar në qytetin e tyre siç vepruan qytetet e tjera shqiptare si: Elbasani, që e ngriti flamurin kombëtar më 25 nëntor, Durrësi më 26 dhe Kavaja, Peqini, Lushnja, më 27 nëntor. Në gjendjen e krijuar në Korçë ishte e pamundur të dërgoheshin delegatë korçarë në ngjarjen e madhe të shpalljes së Pavarësisë. Kur filloi në Vlorë Kuvendi për shpalljen e Pavarësisë, Korça, po ashtu edhe Shkodra, në pamundësi për të dërguar delegatë, u mandatuan të flisnin e të vendosnin në emër të tyre si delegatë atdhetarët korçarë që ndodheshin aty (B. Fevziu “100 vjet”). Korça u përfaqësua në këtë kuvend nga atdhetarët korçarë të deleguar nga kolonia shqiptare e Bukureshtit, që e shoqëruan Ismail Qemalin nga Triestia në Durrës pastaj në Vlorë, si dhe nga atdhetarë të tjerë korçarë që u ndodhën në Vlorë atë ditë dhe u pranuan nga kuvendi të përfaqësonin krahinën e Korçës. Pushtimi i Korçës nga trupat greke, mbas largimit të trupave turke, në dhjetor të vitit 1912 dhe që vazhdoi pothuaj pa ndërprerje deri në nëntor 1916, nuk lejoi ngritjen e flamurit kombëtar në Korçë në përvjetorët e 28 nëntorit të viteve 1913, 1914, 1915 dhe 1916. Por edhe gjatë këtyre viteve, pati disa episode të veçanta të ngritjes së flamurit kombëtar në disa qendra të banuara të qarkut të saj. Gjatë vitit 1914, flamuri kombëtar shqiptar nuk u ngrit dot në qytetin e Korçës së pushtuar nga forcat greke, por u ngrit në disa qendra të banuara të qarkut të Korçës. Çetat patriotike të komanduara nga Sali Butka në ofensivën për çlirimin e qarkut të Korçës nga trupat greke në janar të vitit 1914, kudo që shkonin, ngrinin flamurin. Sipas librit M. Meço, “Panariti, gjurmë në histori”, Tiranë 2007: “Në shtëpinë e Dajlan Panaritit (lagjja ‘Janqisht’), sipas porosive të Ismail Qemalit, Gani Sali Butka, bashkë me Jaken dhe Sabriun, djemtë e Dajlanit, ngritën flamurin kombëtar në janar 1914″. Në të njëjtën kohë, flamuri u ngrit në Trebickë dhe Treskë fshatra afër Panaritit. Në datën 2 mars 1914, sipas vendimit ultimativ të Fuqive të Mëdha dhënë Greqisë, ndodhi largimi i ushtrisë greke nga Korça dhe në qytet hyri ushtria shqiptare e qeverisë së Princ Vidit prej 250 vetash, e komanduar nga Mustafa Beu, i cili shoqërohej edhe nga oficeri holandez, kapiten Gjiraldi. Menjëherë u hoq flamuri grek dhe për herë të parë në qytetin e Korçës u ngrit flamuri i një qeverie shqiptare, i cili ishte flamuri i Princ Vidit, flamur i kuq me një shqiponjë dykrenare, por shqiponja nuk ishte e ngjashme me shqiponjën e flamurit të Skënderbeut që u ngrit në Vlorë. Prania e trupave shqiptare të qeverisë së Princ Vidit në Qarkun e Korçës zgjati deri në datën 7 korrik 1914, kur në qytet hyri përsëri ushtria greke e mbretit Kostandin, aleate e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, që ngriti menjëherë flamurin grek. Periudha e shkurtër disamujore e pranisë së trupave shqiptare të qeverisë së Princ Vidit dhe ngritjes së flamurit shqiptar në Korçë, u shoqërua me përpjekjet e peshkopit grek të Korçës, Germanosit, për të ngritur flamurin e të ashtuquajturit “Vorio-Epir”. Luftime të ashpra ndodhën në qytetin e Korçës midis trupave shqiptare të qeverisë të komanduara nga holandezi, majori Shneller, si dhe “vetëdashësve” korçarë të komanduar nga Themistokli Gërmenji nga njëra anë, kundër trupave të andartëve grekë dhe grekomanëve korçarë të mashtruar nga peshkopi grek i Korçës, Germanosi, nga ana tjetër, që njihet në histori si “puçi grek” i 2 prillit. Me ardhjen e çetave shqiptare të Kajo Babjenit dhe të atdhetarëve kolonjarë të komanduar nga Gani Sali Butka, kryengritësit u shkatërruan dhe në Korçë u ngrit përsëri flamuri i qeverisë shqiptare të Princ Vidit. Veprimi i parë i forcave greke, kur hynë në qytetin e Korçës, në 7 korrik 1914, ishte heqja e flamurit shqiptar të Princ Vidit dhe ngritja e flamurit grek. Në mësymjen e vitit 1916, për çlirimin nga grekët të krahinës së Korçës, çetat shqiptare të komanduara nga Sali Butka, në përbërje të ushtrisë austriake, kudo që shkonin, ngrinin flamurin kombëtar shqiptar. “Qëllimi ynë është të ngremë flamurin kombëtar”, u shkruante Sali Butka banorëve të fshatrave para se t’i çlironte (S. Godo “Plaku i Butkës”). Flamuri u ngrit së pari në Panarit në 6 tetor dhe në Vithkuq, në 10 tetor 1916. Në godinën e krahinarisë së Vithkuqit u ngrit flamuri kombëtar i kuq dy pashë, me shkabën e zezë të qëndisur anash me fije ari. Gjatë pushtimit grek, flamuri ishte ruajtur si pronë e përbashkët e fshatit. Pas Vithkuqit, çetat shqiptare ngritën flamurin dhe organizuan administratën shqiptare në Lavdar dhe në Gjergjevicë, pa hasur asnjë pengesë. Duke vazhduar këtë ofensivë çlirimtare, çetat shqiptare iu drejtuan Voskopojës. Por në këtë fshat nuk ndodhi si me fshatrat Panarit, Vithkuq, Lavdar dhe Gjergjevicë. Nga informacionet që mblodhi Sali Butka, u pa që gjendja në Voskopojë ishte krejt e kundërta e Vithkuqit. Forcat e komanduara nga Sali Butka qëndruan në rrëzë të fushës së Korçës, në vijën Vashtëmi, Melçan, Voskop, Kamenicë, Dvoran, Boboshticë. Në këtë kohë, në muajin tetor 1916 në Korçë u vendosën forcat ushtarake franceze të komanduara nga koloneli De Burnazel, i cili urdhëroi largimin e forcave greke kostandiniste dhe të funksionarëve grekë pro mbretit. Në funksion të ngjarjeve në Greqi, pas largimit të forcave pro mbretit, në Korçë erdhën autoritetet venizelliste, aleatë të francezëve dhe në Korçë u vendos prefekt zoti Argjiropull, i cili formoi menjëherë administratën civile me funksionarë grekë. Mbas pak kohe u largua koloneli De Burnazel dhe në vend të tij erdhi koloneli Dekoen. Për interesat ushtarake franceze, me urdhër të gjeneralit Saal, komandantit të forcave aleate në Selanik, koloneli Dekoen hyri menjëherë në bisedime me komandantët e çetave shqiptare në krahinën e Korçës, për të bashkëpunuar me to me qëllim ruajtjen e qetësisë në këtë zonë. Të dy komandantët kryesorë të çetave shqiptare, Themistokli Gërmenji dhe Sali Butka, kërkuan, për këtë bashkëpunim, nga komanda franceze disa kushte, më kryesoret e të cilave ishin: Dëbimi i grekëve nga Qarku i Korçës, Vetëqeverimi shqiptar i Korçës, mbyllja e shkollave greke dhe hapja e shkollave shqipe dhe më kryesorja, ngritjen e flamurit kombëtar të Skënderbeut. Koloneli Dekoen i pranoi të gjitha këto kushte të atdhetarëve shqiptarë dhe më datën 10 dhjetor 1916, në bazë të marrëveshjes së arritur me forcat franceze, Themistokli Gërmenji ngriti në qytetin e Korçës, për herë të parë, flamurin kombëtar shqiptar, atë flamur që ishte ngritur në Vlorë, flamurin që kishte mbajtur Skënderbeu, shkabë e zezë dykrenare në fushë të kuqe me një kordele me ngjyrat e flamurit francez. Në kuadrin e “Vetëqeverimit shqiptar”, në datën 22 dhjetor 1916, Qamil Panariti, atdhetari i shquar, shok i Themistokli Gërmenjit dhe Sali Butkës, i emëruar shef i Policisë në Bilisht, ngriti për herë të parë në këtë qytet flamurin kombëtar të Skënderbeut. Prandaj, është e pakuptueshme që në këtë qytet akoma dhe sot nuk ka asnjë shenjë që të kujtojë këtë ngjarje të veçantë dhe të rëndësishme historike, ngritjes për herë të parë të flamurit kombëtar dhe autorin e kësaj ngjarjeje, atdhetarin Qamil Panariti. Atdhetari Qamil Panariti, njëlloj si dhe bashkëluftëtari i tij Themistokli Gërmenji, u arrestua nga francezët dhe u dënua me vdekje. Ndërhyrja e patriotëve shqiptarë, që sollën avokat nga Stambolli, sidomos përpjekjet e vëllait të tij, Tefik Panariti, që ishte anëtar i Këshillit Administrativ të “Republikës Shqiptare” të Korçës, i detyroi francezët ta kthenin dënimin e tij me vdekje, në internimin e tij dhe të të tjerëve shqiptare të arrestuar në Guajanën franceze, territor francez përtej oqeanit Atlantik në kufi me Brazilin, ku Qamil Panariti u vra në vitin 1923 nga ata njerëz që i kishte luftuar tërë jetën. Ngritja e flamurit kombëtar shqiptar në Krahinën Vetëqeveritare të Korçës, më vonë Republika Shqiptare e Korçës, vazhdoi edhe mbas abrogimit nga francezët të Protokollit të 10 dhjetorit 1916 që ndodhi në shkurt 1918. Me gjithë urdhrat e komandës franceze të Selanikut për heqjen e flamurit shqiptar nga ndërtesat qeveritare, ushtarakët francezë në Korçë, me ndjenja të theksuara pro shqiptare, e lejuan flamurin kombëtar shqiptar të ngrihej në qytet deri në vitin 1919, kur u ndalua me urdhër të prerë. Ai u ngrit në qytet për herë të tretë, për të mos u ulur më, në 26 maj 1920, në manifestimin e madh popullor që u bë në Korçë, për bashkimin e saj me qeverinë e Tiranës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Por historia e flamurit kombëtar shqiptar, që u ngrit në Korçë në 10 dhjetor 1916, nuk përfundon këtu. Kur iku nga Korça koloneli Dekoen në 1917, e mori me vete flamurin kombëtar që u ngrit në Korçë në datën 10 dhjetor 1916 dhe u tha atdhetarëve korçarë, që ai do ta kthente ditën që Shqipëria do të kishte muzeun e vet. Kur në Tiranë u krijua “Muzeu Shqiptar”, drejtori i tij, Viskë Babatasi, i kërkoi me letër Dekoenit, tani gjeneral brigade, të mbante premtimin dhe të kthente flamurin. Dekoeni pranoi dhe ia dorëzoi flamurin zotit Xhemil Dino të legatës shqiptare në Paris në dhjetor 1922. Ky flamur u dorëzua në Tiranë nga miku i Shqipërisë, zoti Justin Gotard. Prania në Muzeun e Tiranës e flamurit shqiptar që u ngrit në Korçë në 10 dhjetor 1916, jep mundësinë që i njëjti flamur të vendoset tani në Korçë në ambientet e restauruara të shtëpisë ku u ngrit për herë të parë, në 10 dhjetor 1916, duke shpallur “Vetëqeverimin shqiptar” të Krahinës së Korçës, më vonë me emërtimin “Republika Shqiptare e Korçës”. Nga Vepror Hasani
Lajmi i ngjante pikës së lotit. Më i trishtuar dhe më i dhimbshëm nuk mund të bëhej. As qyteti i Korçës nuk pati forcë ta mbante fshehur në shpirtin e tij. Njerëzit që ecnin në rrugë kishin vetëm lotë në sytë e tyre. Një djalë i ri së bashku me të fejuarën ishte mbytur në liqenin e Ohrit, në afërsi të Shën Naumit. Ishte 30 mars i vitit 1930. Kishte vdekur fëmija i tetë i familjes Kostandin Polena, doktorit më të vjetër të Korçës. Tragjedia nuk po ndalej. Të gjithë kishin vdekur njëri pas tjetrit. Shtëpia e Polenasve rrinte gjithnjë me të zeza. Tashmë kishte mbetur vetëm një djalë, Sotir Polena, njeriu që do të merrte famën e doktorit të operacioneve gati të pamundura për kohën, por edhe ai atë çast nuk ndodhej aty… Lajmi kishte dalë befas nga valët e liqenit, kishte vrapuar ankthshëm drejt Korçës, te familja e të vdekurit për të qëndruar aty vetëm për një çast, aq sa për të veshur qytetin me të zeza dhe pastaj ishte nisur me të njëjtin nxitim rrëqethës drejt Gjermanisë… Atje ndodhej Sotir Polena, djali i nëntë i kësaj familjeje, për të cilin do të flitet në këtë rrëfenjë tronditëse… Ai kishte vetëm tre vjet që kishtë përfunduar studimet e larta për mjeksi në Mynih të Gjermanisë dhe vetëm dy vjet që kishte mbrojtur doktoraturën në Universitetin “Ludvigo Maksimilan” të Bavarisë… Më pas do të punonte edhe në Shtutgard, aty i mbërriti edhe lajmi…Që të gjitha këto i tregon çdo qytetar i Korçës, por kjo histori e trishtë do të vijojë me rrëfimin e Adhonit, djalit të Sotir Polenës, tashmë mjek obsetër-gjinekolog në spitalin e Korçës. Në Gjermani “Po , lajmi kishte mundur të mbërrinte në Shtutgard të Gjermanisë, nis rëfimin e tij, Adhon Polena. Në atë kohë babai im ishte vetëm 28 vjeç. Kur po delte nga klinika, dikush e kishte ndalur dhe i kishte dhënë lajmin: “Të kthehesh në shtëpi sa më parë …”. Aludohej për një të sëmurë në familje, por ai, (Sotir Polena), sapo kishte dëgjuar lajmin, kishte mbetur një çast si i ngrirë dhe pastaj me frikë kishte pyetur veten: “Çfarë të ketë ndodhur vallë…”? “Vdekje…”? Vetëm këtë gjë nuk donte ta mendonte. Një pikë loti i kishte rrëshqitur nëpër faqe. “Më paska marrë malli”, mendoi. “Ndoshta mund të jetë i sëmurë babai, tha me vete … ndoshta nëna …” Ai ende nuk e dinte se vëllai i tij, Nikollaq Polena së bashku me të fejuarën e tij, Julia Fundo ishin mbytur aksidentalisht në liqenin e Ohërit, jo shumë larg nga Shën Naumi, së bashku me disa të tjerë. Tashmë kishte mbetur fëmija i vetëm i Kostandin Polenës. Të gjitha këto ai do të na i tregonte kohë më vonë, kur binte rasti të flitej për familjen tonë…”, tregon biri i doktor Sotir Polenës, Adhoni Polena. Dy fjalë për gjyshin, Kostandin Polenën “Që në çastin e parë të mbërritjes së lajmit, babai kishte nisur të bënte gati bagazhet,. Lutej që vetëm vdekje të mos kishte qënë ai lajm që sapo kishte marrë, vijon më tej rrëfimin e vet, Adhon Polena. Babai im, Sotir Polena, kishte qënë fëmija i vogël i familjes Polena. Deri në atë kohë kishte parë vdekjet e njëpasnjëshme të vëllezërve, të motrave të tij, të fëmijvë të tjerë, të të moshuarve… Ata vdisnin në duart e babait të tij. Pas kësaj kishte të qara dhe ulërima nënash, thirrje deri në kupë të qiellit për fëmijën e humbur… Babai i Sotirit, Kostandin Polena, në çaste të tilla trishtohej dhe në heshtje përjetonte dhimbjen e thellë që i reflektohej te sytë si një pikë loti që mbetet fshehur nën qerpikë. Gjithçka kishte nisur me rënien e një epidemie të frikshme në qytetin e Korçës. Ai kishte shpëtuar nga vdekja me dhjetra e qindra njerëz, por kjo epidemi po ia rrëmbente njerëzit nga duartë. Fëmijët vdisnin njëri pas tjetrit. Konstandin Polena, babai i Sotir Polenës, ose gjyshi im, tregon Adhon Polena ishte doktor, kishte studiuar në Athinë për kirurgji, gjinekologji dhe farmakologji. Në spitalin e Korçës që u hap nga amerikanët në vitin 1916 ai punoi si kirurgu i parë obsetrik Në shtëpinë e tij vinin çdo ditë fëmijë të sëmurë, në prag të vdekjes, por befas do të sëmureshin edhe dy fëmijët e tij. Kostandin Polena ishte furnizuar me vaksina në Athinë, por ato nuk mjaftonin… Ndodhte që në çastin që do t’i bëntë një gjilpërë fëmijës së tij, një nënë sillte gjysëm të vdekur fëmijën e vet dhe atëherë, Kostandin Polena atë gjilpërë e shpenzonte për të sjellë në jetë një fëmijë që ishte duke vdekur…” Në rrethana të tillë i vdiqën edhe dy fëmijët e tij të parë…ishte koha kur mungonin medikamentet, kur as një vaksinë nuk kishte mbetur as për fëmijët e tij.” Motrat dhe vëllëzërit e Sotir Polenës “Babai im, Sotir Polena, shtyn më tej tregimin e tij, Adhon Polena, së fundi kishte përgatitur gjithçka për kthimin e tij në Korçë. Gjithçka e kishte përgatitur me shpejtësi. Ankthi e kishte pushtuar krejt. “Vetëm vdekje të mos jetë ky lajm që sapo mora”, kishte menduar sërish ai. Babai im i dinte dy vdekjet e ndodhura në shtëpinë e tij gjatë kohës së epidemisë. Në fillim kishte vdekur motra e tij, Agllaia, kishin shkuar për të varrosur atë, por kur u kthyen në shtëpi gjetën të vdekur motrën tjetër të tij, Rodhopin. Ato kishin qenë të vogla, jo më shumë se 5- 6 vjeçe. Vdekjet e kishin tronditur vazhdimisht. Në shtëpinë e tij vdekja kishte qenë gjithnjë e pranishme. Pas dy motrave të para, vdiq edhe motra e tretë, Eterpi, edhe ajo kishte qenë e vogël. Pastaj, në vitin 1903, u nda nga jeta edhe vëllai i tij, Vasili, kur ishte vetëm 17 vjeç. Pas la vetëm një tufë pikturash, sepse ishte i dashuruar pas artit, por nuk mundi të përjetone gëzimin e artit të tij. Në 10 nëntor të vitit 1909, në shtëpinë e babait tim do të ndodhte një tragjedi tjetër. Themistokli Polena, një nga vëllezërit e babait u gjet i vdekur: e kishin helmuar turqit. Ai në atë kohë vazhdonte studimet në SHBA për Astronomi dhe sapo ishte kthyer në Korçë me pushime, por pa e ditur kurthin që e priste. Në vitin 1924, vdiq një motër tjetër e babait, Elena, e cila sapo kishte mbushur të 19-tat. Nga 9 fëmijë që kishte patur gjyshi im, Kostandin Polena, i kishin mbetur vetëm dy: Nikoja që tashmë ishte mbytur aksidentalisht në liqenin e Ohrit, dhe djali i vogël, Sotir Polena, që në ato çaste po përgatitej të kthehej në Shqipëri, ndërsa vazhdonte të lutej: “O Zot, vetëm lajmi që sapo mora të mos jetë vdekje…”. Kthimi i Sotir Polenës “Para se të largohej nga Gjermania, Sotir Polenës iu desh të takohej me profesor doktor Hecker, sepse kishte punuar me të, dhe sepse nën drejtimin e tij kishte mbrojtur edhe doktoraturën në Universitetin “Ludvigo Maksimilan” në Bavari. “Mos ik, qëndro këtu, i kishte thënë profesor doktor Hecker, klinikat tona kanë nevojë për ju”, por Polena i ishte përgjigjur: “Më duhet të iki profesor, atje në Shqipëri vdesin shumë njerëz, ka nevojë për mjekë…”. Të njëjtën gjë i kishte thënë edhe kryekirurgu i klinikave të Mynihut, Ferdinand Sauerbruk, por tashmë babai im e kishte ndarë mendjen: “Vendi im është Shqipëria, do të shkoj të punoj në qytetin e Korçës”, ishte përgjigjur. Veç kësaj e kishte marrë malli për të atin, për nënën e tij, për të vëllanë, Nikon. (Sotiri ende nuk e dinte që vëllai i tij ishte mbytur). Mendonte të ulej me Nikon dhe të bisedonin gjatë, sepse Nikos i pëlqentë të fliste për pacientët e tij, për pneumatologjinë, për shpëtimin e jetës së njerëzve… madje thoshte gjithnjë: “Ah, sikur të kisha qenë mjek në kohën që ra epidemia dhe të kisha patur këto aparatura…” Niko Polena kishte përfundur studimet e larta për mjekësi në Athinë dhe Gjermani. Gjithnjë kishte dëshiruar të bëhej pneumatolog, sepse kur kishte qenë i vogël, në kohën e epidemisë, gjithnjë kishte parë se si vdisnin njerëzit nga turbekulozi. Sigurisht, Niko Polena, jo pa ndonjë lloj krenarie do t’i tregonte të vëllait, Sotirit, se kishte qenë ai që në vitin 1926, kishte sjellë për herë të parë në Shqipëri aparatin Rëntgen me shkëndijë elektrike. Korça për herë të parë pati energji elektrike në vitin 1925. Bashkë me aparatin Rëntgen, Nikoja solli edhe një laborante nga gjermania, të cilën e quqnin Ollga. E punësoi në klinikën private të familjes. Edhe babai im (Sotir Polena) do t’i tregonte së fundi se pas marrjes së titullit doktor ishte specializuar në Shtutgard edhe për kirurgji dhe obsetri – gjinekologji. Kishin vendosur që të dy së bashku të punonin çdo ditë për të mposhtur vdekjen që në ato vite kishte mbërthyer Korçën. Por kur babai im mbërriti në Korçë mori vesh se vëllai i tij, së bashku më të fejuarën, ishin mbytur aksidentalisht në liqenin e Ohrit. Dhimbja për të atë çast nuk pati kufi. Nuk do të kalonin shumë kohë dhe po atë vit, në 10 dhjetor 1930, në moshën 77- vjeçare u nda nga jeta edhe babai i tij, Konstandin Polena”. Një jetë me bisturi Megjithatë, jeta vazhdonte, thotë biri i Sotir Polenës, Adhoni Polena. Babai im me t’u kthyer në Korçë, në vitin 1930, nisi punë në klinikën e familjes. Më 14 janar, 1931 në Korçë ra tërmet dhe klinika e familjes Polena pësoi dëmtime. Babai e ngriti sërish nga e para. Kjo klinikë e ndërtuar nga duartë e tij është Klinika e parë në Shqipëri. Spitali kishte 10 shtretër, aparatin Rëntgen, laboratorin klinik dhe sallën e operacioneve. ( Në Tiranë klinika e parë u hap në vitin 1935). Megjithatë që nga viti 1933 dhe deri në vitin 1962, im at punoi edhe në spitalin e Korçës si kirurg dhe si drejtor i spitalit. Emri i tij shumë shpejt nisi të përhapej në të gjitha anët e vendit. Ai arriti të realizonte operacione gati të pamundura për kohën, ndoshta po kaq të vështira edhe për kohët e sotme. Mbaj mend që në spitalin e Korçës njerëzit vinin nga çdo anë: nga jugu, veriu, Myzeqeja, nga Gora, Opari, Mokra, Skrapari… Vazhdimisht e kalonte kohën me operacione. Dikush operohej nga sytë, një tjetër nga gjoksi, një i tretë për probleme otorino-laringologjike… Babai im ishte atje edhe kur njerëzit vuanin nga shpretka, mëlçia, tiroidet… Një jetë të tërë me bisturi në dorë. Ai pati sukses edhe në neurokirurgji, në kirurgjinë torkale dhe në ortopedi. Qepja e venave ishte një mjeshtëri e rrallë e tij. Kishte guximin dhe kurajon të kryente ndërhyrje të vështra edhe t’u vinte në ndihmë grave shtatzëna, duke u kthyer jetën dhe fëmijën. Befas do të kuptoja se emri i tij kishte shkuar larg. Mjekët evropianë e kishin vendosur emrin e tij në në manualet e mjeksisë për realizimin e operacioneve të vështira, të pamunura për teknologjinë e kohës. Detyra është gëzim Në shtëpi kthehej vetëm në mbremje, gjithnjë në orët e vona. Nuk mbaj mend të ketë thënë ndonjëherë: u lodha. Sa herë që nxirrte ndonjë pacient nga “kthetrat” e vdekjes, dhe kjo gjë ndodhte shpesh, ne arrinim ta merrnim vesh edhe pa na i thënë ai. Në raste të tilla babai, sapo hynte në shtëpi më hidhte një vështrim të gëzuar dhe më thoshte: “Adhoni, pa na luaj diçka të bukur në piano”. Sigurisht unë nuk isha pianist, por më pëlqentë muzika. Përpiqesha të luaja ndonjë melodi të gëzueshme që tingujt e saj të mbushnin gjithë shtëpinë. Në çaste të tilla, ai ulej pranë meje dhe diça mendonte. Më dukej sikur ai bisedonte me Nikon që nuk arriti të martohej, me Themistokliun që e helmuan, me motrën e tij Elenën, me vëllanë tjetër, Vasilin, me nënën dhe babain e tij. Dukej sikur bashkë me tingujt që nxirrnin tastierat, ai bënte një bashkëbisedim të gjatë me të atin: “Baba, kam filluar t’u kthej jetën njerëzve, bëj të gjitha përpjekjet ashtu siç përpiqeshit ju për gjithë fëmijët e Korçës, sepse për ju që të gjithë ishin njëlloj, sikur të ishin njerëzit e familjes. Unë ju kam adhuruar gjithnjë baba, dëshiroj të jem një doktor po aq i mirë sa ju. Shpesh më duket sikur punoj edhe me duartë e Nikos. Aparati rontgen që solli në vitin 1926 e kemi akoma në spitalin e familjes…”. Por nëse babai nuk më kërkonte të luaja në piano atëherë ai ose merrte librat e Gëtes, Dantes, Shilerit, Frojdit, Niçes, apo Hajnes dhe lexonte, ose merrte lapsin dhe vizatonte diçka, sepse i pëlqente mjaft arkitektura, (madje edhe shtëpia ku jetojmë sot është e projektuar nga vetë ai në stilin eklektik), ose shkonte te kopështi zologjik që kishte ngritur pranë shtëpisë dhe luante me pëllumbat, duke dëgjuar gugitjet e tyre. Në çaste të tilla ai ndihej jashtëzakonisht i lumtur. Një ditë në xhepin e xhaktës së tij gjeta të shkrura vargjet e shkrimtarit të madh indian, Rabindrand Tagares: “Fjeta dhe ëndërrova se jeta është gëzim/, u zgjova dhe pashë se jeta është detyrë/, veprova sipas saj dhe nxora një përfundim/: Detyra është gëzim”. Familja Polena Babai im, Sotir Polena, tregon biri i tij, Adhoni Polena, u lind më 5 gusht 1902 dhe u nda nga jeta më 3 korrik të vitit 1967. Gjatë kohës që ai punonte me bisturi, në një çast pati prerje të dorës. Ajo prerje iu shndërrua në plagë. I dhënë gjithnjë pas pacientëve të vet, e harroi plagën e tij, ndërsa ditët kalonin… Vetëm dy vjet më vonë ai u nis drejt Vjenës në Austri për të kuruar plagën e bisturisë. Mjekët e Vjenës u kujdesën për të, bënë të pamundurën, por babai nuk mundi të mbijetonte. U nda nga jeta kur ndodhej në spitalin e Vjenës. Megjithatë ai mbahet mend për operimin e parë të kancerit të rectiumit, për operacionin e parë të kancerit të gjirit, për operimin e parë të zemrës, për qepjen e vazave të gjakut, për operimet në kokë etj, etj. Tashmë tre fëmijët e tij: unë, thotë Adhoni dhe dy motrat e mia: Rea dhe Ida u bëmë mjekë. Edhe vajza ime, Viola, punon si mjeke, gjinekologe në Paris në spitalin “Tenon” dhe në Bordin shkencor, edhe nipi i tij, Sotiri i Ri u specializua për kardiologji, edhe një besë e tij, Elda Naumi, punon si mjeke dhe pedagoge në institutin e Infermierisë. Ndoshta familja e Doktor Polenës nuk do të rreshti kurrë së nxjerri doktorë brez pas brezi për të qënë në shërbim të njerëzve të njerëzve, përfundon rrëfimin e tij, biri i doktorit të dëgjuar, Adhoni Polena, tashmë mjek obsetër-gjinokolog, por duke shtuar edhe diçka tjetër: “Vetëm njëra prej vajzave të mia, Shirli Polena, nuk iu përkushtua mjeksisë, por muzikës, sot ajo është Soprano e Operas së Mynihut në Gjermani. Sa herë vjen në Korçë, i them: “Shirli, ulu në piano dhe luaj diçka, ndërsa mua, në çastë të tilla, më pëlqen të nis një bashkëbisedim të gjatë me babain tim që nuk jeton më, ashtu siç bënte ai dikur me babain e tij, Kostandin Polena…”. Një pasdite janari, 14 kishat e Vithkuqit gjëmuan njëherësh për orë të tëra, me një jehonë shurdhuese, të padëgjuar kurrë më parë.
Kishte ndodhur një gjëmë. Katër pjesëtarë të një familje, u gjetën të pajetë nga banorët në banesën e tyre. Një nënë, një foshnjë, dhe dy pleqtë e shtëpisë vdiqën brenda një dite. Ndodhur vërtet 264 vjet më parë thellë malësisë në perëndim të qytetit të Korçës, kjo ngjarje e frikshme është trashëguar në heshtje deri në ditët tona, vit pas viti nga banorët e zonës. Në kohën kur ka ndodhur kjo tragjedi, Vithkuqi ishte një qytet i madh e i zhvilluar, me 14 kisha ortodokse në 14 lagjet e tij. Në mes të acarit, në janar të vitit 1746, një nënë e re e krishterë u kthye në shtëpi e pikëlluar me foshnjën në krahë, pa mundur ta pagëzojë fëmijën e saj në kishën greke të Engjëllit Mihail, që ndodhej në lagjen Grekas. Pagëzimi ishte refuzuar në momentin e fundit, dhe fëmija lakuriq nuk u lejua të futej në kazanin e shenjtë nga urata për shkak se kisha greke kish ndryshuar ligjet e pagëzimit: Papritur, banorët e zonës, nuk mund të pagëzoheshin më në gjuhën shqipe, sepse rregullat e reja kërkonin që rriti i shenjtë të bëhej vetëm në gjuhën greke. Ngaqë nëna e re nuk dinte greqisht, fëmija nuk mundi të bëhej një krijesë e krishterë, çka supozohej një ngjarje e rëndë në kushtet kur vendi gjendej nën presionin e ideologjisë islame për ndryshimin e besimit të krishterë në Shqipëri. Por vetëm kur arriti në shtëpi ajo kuptoi se një ngjarje më e tmerrshme se mohimi i pagëzimit kish ndodhur me foshnjën e saj. Fëmija kishte vdekur nga të ftohtit. Për një sekondë hidhërimi pa fund, zemra e nënës pushoi në çast, dhe dy pleqtë e shtëpisë, kur panë nënë e bir të pajetë, plasën njëherësh edhe ata nga pikëllimi. Të katër trupat u varrosën bashkë në të njëjtin varr, i cili u quajt “Varri i Pagëzimit”. Por historia nuk mbaroi këtu. Disa kohë mbas kësaj tragjedie, në themelet e gurta të një kishe, u gjend e masakruar njëra nga murgeshat greke që Patriarkana kish dërguar në Vithkuq për t’u edukuar grarisë së qytetit zakonet e ortodoksisë. Misteri u err edhe më kur, në të njëjtën kohë, dhe në të njëjtin vend, u gjend i vrarë edhe prifti që kish ndaluar pagëzimin e foshnjës. Një kohë të gjatë në qytet mbretëroi pasiguria, ndërsa vetëdija e njerëzve sundohej nga tmerri që sillnin ngjarje anësore të cilat edhe kur s’kishin lidhje me besimin e tyre, me “Varrin e Pagëzimit” apo me vrasjen e klerikëve, perceptoheshin si të tilla: dukej se gjithçka ndodhte ose në shërbim të një qëllimi qiellor, që perëndia e kish hedhur për të paralajmëruar kushedi çfarë, ose më keq akoma, gjithçka po ndodhte rrotull atje s’ishin veç shkreptima të fatalitetit. Midis njerëzve të asaj kohe që guxuan të kuptojnë vullnetin e Zotit, ishte edhe At Vasili, një klerik fisnik shqiptar me një titull të lartë: “Ambasador shëtitës i ortodoksisë”. Por as At Vasili, i cili shërbente gjithashtu në Mitropolinë e qytetit të Vithkuqit, as pasardhësit e tij nipër klerikë, që e kishin hetuar gjithashtu thellësisht misterin e kësaj ngjarjeje, nuk kishin mundur të zbardhnin të vërtetën e frikshme. Kush ishte arsyeja e vërtetë që nuk u lejua të pagëzohej fëmija? Kush ishte roli i priftit tinëzar që kish vulosur me dorën e tij tragjedinë, e cila konkurronte edhe fabulat më të dhimbshme të Shekspirit? Kush i vrau klerikët, dhe ç’fuqi, ç’mister, ç’frymë drejtonte zhvillimet në një drejtim të caktuar, të cilës i mungonte atë kohë logjika civile? A kishte organizata mistike, që nën pelerinën e zezë të fatkeqësisë, krijonin strategji më të tmerrshme akoma, duke e përdorur pagëzimin e pabërë si alibi të qëllimeve të tyre të errëta të një sundimi jashtënjerëzor, që nuk duheshin mësuar përjetësisht nga askush?! 264 vjet më vonë, një njeri do të fillojë hetimet për të zbuluar misterin e vjetër, që rritej e rëndohej me kalimin e kohës. Ky është Mitro Filipi, shkrimtar i njohur, stër hI-stër nipi i fundit i At Vasilit legjendar që kish shpenzuar më kot jetën dhe fantazinë e tij për të zbërthyer enigmat. Duke hyrë thellë në histori, duke sfiduar rrënimin e kohës dhe brishtësinë e kujtesës kolektive, Mitro Filipi papritur, zbuloi diçka po aq të frikshme sa tragjedia. Shkrimtari u ndje i rrezikuar sapo kuptoi që si askush tjetër në planet, ishte afruar pranë të vërtetës rrëqethëse të Varrit të Pagëzimit: vështirë kjo e vërtetë të mund të durohej nga shpirti i tij. Në fund të viteve ’50 dhe në vitet ’60 të shekullit të kaluar, Korça ka pasur 4 kinema: Kinema “Morava” (ish “Majestiku”) kino-teatri “A.Z.Çajupi” që shfrytëzohej edhe për shfaqje teatrale, edhe për filma, kinema “Republika” dhe kinemaja verore. Për të patur një ide më të qartë, po kujtoj këtu që në vitet ’70, kryeqyteti, Tirana, kishte 7 kinema. Nuk mund ta kuptosh dot shpirtin e Korçës pa pasionin për kinemanë. Ne që kaluam fëmininë në atë periudhë, kujtojmë sot që vërtet qendra e qytetit, ku bëheshin manifestime, mitingje, koncerte, ishte sheshi para “Ushtarit të Panjohur” (“Luftëtarit Kombëtar”), por zemra e qytetit ishte në atë sheshin e vogël para kinema “Moravës”.
Ishin katër kinema që nuk arrinin dot të plotësonin kërkesat e qytetarëve, të rritur apo fëmijë, për filma. Aq sa shpesh herë për ne fëmijët improvizohej për sallë kinemaje, një sallë e madhe dhe e ftohtë në katin e parë të Shtëpisë së Pionierit (Zaharaj). Para shfaqjes së filmit, zakonisht e merrte fjalën drejtori i Shtëpisë së Pionierit, Nafiz Suli, një mesoburrë që ngjante me një fëmijë të rritur që ndodhej mes shokësh. Hipte mbi një karrige dhe fillonte tregonte ngjarje nga lufta. Bënte të dy rolet, p.sh. edhe të atentatorit Kajo Karafili, edhe të viktimës që dridhej nga frika. Pastaj kalonte në temën e ditës, moda, shfaqjet e huaja… Ishte tip impulsiv, e rrëmbente biseda dhe e përfundonte fjalën me ndonjë thirrje, si “ne duhet të shkojmë e t’u varim tek dera një tabelë ku të thuhet: Kjo është shtëpi kurvash!” Ne brohorisnim të befasuar që drejtori kishte përdorur fjalë të pista, kurse Nafizi zbriste nga karrigia, i lumturuar që i kishte kënaqur shokët e tij fëmijë. Lajmësi Po kush njoftonte i pari në qytet mbërritjen e filmit të ri? Pas reklamave të bëra në një nga sportelet e kinema “Moravës” për filmin e ardhshëm, lajmësi për mbërritjen e tij ishte Pandi, i mbiquajtur siç e ka zakon Korça, Këndeska. Pandi ishte një mesoburrë me flokë kaçurrela, zeshkan dhe me buzë të trasha si afrikan. Pandi ishte personi që dimër-verë me karrocën me dy rrota të kinemasë transportonte bobinat e filmave nga stacioni i autobusëve në kinema e anasjelltas. Ai ecte ngadalë anës bulevardit duke shtyrë karrocën, ku ishin kutitë metalike të shumëpritura. “Ç’film ka ardhur?” -e pyesnin kalimtarët kuriozë dhe ai u thoshte titullin e filmit. Ai e ndiente se kishte një detyrë të rëndësishme, i rrethuar nga kureshtja e kalimtarëve. Por nuk i përgjigjej kujtdo. Sepse kishte dhe fëmijë që donin ta ngacmonin ndaj duhet të ishte vigjilent. Dhe nuk zgjaste shumë kur nga një krah dikush thërriste “Pandi një!” Ai ndalonte dhe kthente kokën nga ajo anë. Ende s’kish gjetur fajtorin kur nga ana tjetër një tjetër zë përgjigjej: “Pandi dy!” Edhe kjo e kishte një histori. Kur kish ardhur filmi çek “Një, dy, tre korona”, kalimtarët e pyesnin se ç’film kishte ardhur, ai, duke pasur vështirësi në të folur, kishte shqiptuar me mundim “një… dy… tre…” Nuk ishte agresiv dhe shikonte punën e tij, por i binin më qafë. Atëherë ai u armatos me një brisk rroje që e mbante në xhep dhe e nxirrte herë pas here për t’u mbrojtur nga ngacmuesit. Kishte dhe fëmijë dashamirës që i thoshin kur nuk kishte karrocën me vete: “Pandi, bëj njëherë si Otello!” Pandi s’ua prishte qejfin. Me vetëdijen se i ngjante Otellos me tiparet e tij afrikane, zgurdullonte sytë dhe i vinte duart në pozicionin e mbytjes së Desdemonës. E kam si tani para syve trupin e tij të përkulur përpara duke shtyrë karrocën, me pallton e gjatë deri në fund të këmbëve dhe duart e skuqura e të enjtura nga të ftohtit. Në këmbë kishte këpucë të rënda ushtarake. Sa herë i binte rruga pranë ndonjë dyqani për riparim këpucësh, u lutej këpucarëve t’i shtonin copa sholle; pak nga pak tabanët e këpucëve ishin trashur e ishin rënduar sa ai mezi i hiqte zvarrë. Ky ishte lajmësi. Kiçi i gjatë, Kiçi i shkurtër… Ditën që do të shfaqej filmi për herë të parë, zihej radhë tek sporteli i biletave, që hapej në orën dy e gjysëm mbasdite. Radha shpesh herë shthurej, djemtë e rinj shtynin me sa mundeshin, duke hipur mbi kokat e njëri-tjetrit. Beteja për bileta bëhej më e ashpër për filmat e bujshëm. Filmat vinin nga ish blloku lindor: Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Çekia; por vinin edhe nga kontinente të tjera, nga Egjipti, Algjeria, India… Vinin nga Italia, Franca, Meksika… Kur erdhi filmi indian “Vagabondi”, tronditi jetën e qytetit. Nga mëngjesi në mbrëmje vetëm për atë flitej. Muzika e tij dëgjohej vazhdimisht në radion lokale. Ishte thuajse e pamundur të gjeje bileta. Ne fëmijët s’lejoheshim ta ndiqnim, por duhet të mjaftoheshim duke dëgjuar komentet e më të rriturve. Ata s’diskutonin nëse e kishin parë një film, po sa herë e kishin parë. Madje në Korçë në atë kohë u përshtat edhe një tekst shqip për muzikën e këtij filmi. Më kujtohen vetëm katër vargje prej saj: Raxh Kapuri me mustaqe, Puthi Ritën mu në faqe Hajde Raxh Kapur, Mbaje veten se je burrë… Kurse filmi që e ngacmoi më shumë ndjeshmërinë e njerëzve ishte filmi egjiptian “Zonja e panjohur”, edhe ky mjaft i suksesshëm për skenat sentimentale. Ne që e kishim shtëpinë pranë kinemasë, rrinim tek sheshi para saj dhe shihnim njerëzit që dilnin kur mbaronte shfaqja: burra e gra dilnin të heshtur, me sy të përlotur. Sikur vinin nga një botë tjetër dhe s’orientoheshin dot në botën tonë. Edhe muzika e këtij filmi pati jehonë të gjatë, veçanërisht kënga e nënës tek shilarësi. (Radio Korça e transmetonte pothuajse përditë këngën “Ngaje makinën me ngadalë”). Ato vite Korçën e kishte pushtuar mania e kinemasë. Debatohej edhe për detaje të imta të filmave, psh. në filmin “Ursus” kush ishte ai që u ndesh me demin, Stive Rives, apo një dublant i tij? Dhe e shihnin filmin përsëri e përsëri për atë moment deri sa u zgjidh: ai që ndeshej me demin ishte trupshkurtër dhe flokëkuq, nuk ngjante me Stive Rivesin, pra ishte një dublant. Adoleshentët filluan të koleksiononin foto të artistëve të shquar, që qarkullonin dorë më dorën në klasat e gjimnazeve. Kishte raste që biletat e filmave mbaronin brenda 10 minutash dhe pastaj shiteshin nën dorë me dyfishin e çmimit. Në atë kohë u shfaqën edhe falsifikatorët e biletave të kinemasë. Ishte e mundimshme të kombinoje trupin e një bilete të grisur me kokën e një tjetre, duke i ngjitur në mënyrë të padukshme dhe duke shkruar shkronjat që mungonin. Besoj se kinema “Morava” u bë dhe shkolla e parë artistike e protagonistëve të kinemasë shqiptare: Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Thimi Filipi, Dhimitër Orgocka, Vangjush Furxhi, Llazi Sërbo, Minella Borova, Jani Riza, Petrika Riza, Sotiraq Bratko, Perikë Gjezi etj. për të mos përmendur edhe dhjetra artistë të tjerë në role të dyta apo episodike në filmat e ndryshëm. Kinemaja kishte tre dyer, por në hyrje zakonisht përdorej dera kryesore dhe një nga anësoret, kurse në dalje hapeshin të treja. Nuk e di sa punonjës kishte aty, por dy më kryesorët për ne ishin portierët, Kiçi i gjatë dhe Kiçi i shkurtër. I gjati ishte vërtet i gjatë e i thatë, me fytyrë zeshkane, kurse Kiçi i shkurtër kishte zë të ngjirur që e ngrinte herë pas here për t’u treguar i rreptë, por në të vërtetë ishte shpirtbutë. Të afroheshe tek Kiçi i gjatë, kur ishe dy veta me një biletë, ishte me rrezik, sepse ai, më e pakta, të shtynte e të largonte. Kurse kur kapte ndonjë me biletë false, e shtrinte pëllëmbën mirë. Të gjithë synonin Kiçin e shkurtër. Ai bërtiste e çirrej, pastaj shikonte me bisht të syrit nga kolegët dhe na linte të kalonim hyrjen edhe pa biletë. Herë herë, në holl dukej dhe përgjegjësi i kinemasë, Çomja i shëndoshë e trupshkurtër, që ishte njëkohësisht dhe operatori i filmit (jo operatori në kuptimin e sotëm). Qëndronte pak çaste, pastaj shkonte lart, në vendin e tij, në sallën e aparaturave. Shfaqja Çdo mbasdite jepeshin tre shfaqje. Zakonisht në orarin e parë, më 15.30 hynin fëmijë dhe të rinj, kurse në oraret e tjera, të rritur dhe familjarë. Në holl të rriturit pinin duhan duke shikuar fotot në mure, me pamje nga filmat. Binte zilja dhe të gjithë nxitonin për të zënë vendet. Pastaj fillonte të sfumohej llampadari i madh dhe errësimi i sallës shoqërohej me fërshëllima entuziaste. Më tej heshtje. Njerëzit e zhytur në terr përmendeshin vetëm kur kishte ndonjë përqafim apo puthje, gjë që shoqërohej me britma entuziazmi e fërshëllima. Kishte raste kur filmi ishte i vjetër dhe këputej herë-herë. Përsëri britma, derisa stabilizohej gjendja. Ndonjëherë ndërpritej zëri dhe në sallë bërtisnin: -Çome, jepi zë! -Zë, Çome! Dhe Çomja e zgjidhte difektin shpejt e shpejt. Këto ngjanin zakonisht në shfaqjen e parë të mbasdites. Kështu, me mbi 1000 shfaqje në vit, me qindra spektatorë për çdo shfaqje, vit pas viti, kinema “Morava” ngriti imazhin e ndërtesës më të vizituar të qytetit, me miliona vizitorë. Në ato sportele janë shitur miliona bileta… Tani s’ka më kinema-mani në Korçë. S’ka as kinema. “Morava” (ish “Majestiku”) u rikonstruktua para disa vitesh dhe rifilloi aktivitetin. Pastaj u dogj aksidentalisht dhe u rikonstuktua për së dyti. Por nuk u ringjall dot. Sot është e mbyllur përfundimisht. Normale. Kanë ndryshuar kohët, njerëzit, teknologjia. Megjithatë i mjafton lavdia e djeshme. Në foto: Kinema “Morava” (ish “Majestiku”)/Naishtedikur.info Vithkuqi dikur ka qënë një qendër banimi tepër e zhvilluar, me një nivel jetese për kohën e vet (rreth v. 1800) për tu admiruar, me shumë lagje, shkolla, kisha, manastire, me njerëz të ditur, eruditë, mësues, tregti dhe savoir vivre (finesë në jetën e përditshme), që dallohej. Për fat të keq edhe Vithkuqi ashtu si dhe Voskopoja, më pas u dogj.
Gratë e Vithkuqit kanë qënë punonjëse të dalluara, në thurje, në avëlmënd, në punimin e leshit, etj, dhe sidomos në përgatitjen e veshjeve. Veshja e grave të Vithkuqit ka qënë shumë e bukur. Kjo dominohej nga fustani i gjatë, ngjyrë të kuqe të ndezur, me një bordurë në fund ngjyra – ngjyra në nuancë të kuqe, blu, etj. Fustani në fjalë, kombinohej me një këmishë fine të bardhë borë, me mëngë të gjata dhe të gjëra, të bollshme, të varura, me bordura zbukuruese të qëndisura, me supe. Mbi të mbi vishej një jelek, ngjyrë kafe e errët, me kopsa dhe kordone për kopsitje tepër të bukura, me konfiguracione artistike në formë luleje. Për rreth belit, në mes pastaj, kapur tek fustani, vendoseshin copa tyli transparent, pra shami ose siç quheshin ndryshe, mandile. Ilia V. Ballauri © Nxjerrë nga: Korça Encyclopedica Kristo Shuli (Sulidhi) njihet si fotografi i parë dhe më i vjetër i qytetit të Korçës.
Aktiviteti i tij artistik në qytet nisi në vitet 80’ të shek. XIX dhe fotografia e tij më e vjetër e dokumentuar është një pamje e fshatit Dardhë, në vitin 1890. Kontributi i tij nuk është vetëm artistik, ai gjithashtu u angazhua me aktivitete patriotike, duke qenë mbështetës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe anëtar i degës së lidhjes në Korçë. Në vitin 1899, Sulidhi fiksoi me aparatin e tij fotografik pamje të Mësonjëtores së parë Shqipe dhe të Mësonjëtores së Vashave. Në vitin 1906, ka fotografuar momente të ndryshme nga jeta e qytetit si dhe kishën e Shën Thanasit, kishën e Profetit Ilia dhe fushat rreth saj, etj. Ndërsa në vitin 1909 dhe prill 1910, Sulidhi fotografoi grupin muzikor “Banda e Lirisë”, në ambientet e Shkollës së Parë Shqipe. |
REKLAMALEXUES AKTUALISHT
|